Mjeku dhe politikani serb nga Kosova, Marko Jakshiq në një intervistë për gazetën nova ka deklaruar se është “sekret publik” se ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është rrahur në Mitrovicë.
Sipas informacioneve të tij, Rakiq ka një krah të thyer dhe një numër të madh të qepjeve në kokë dhe aktualisht po trajtohet në shtëpi.
“Po, ai u rrah. Është një sekret publik. Ai ka marrë ndihmë dhe është liruar për mjekim në shtëpi. Pse qeveria nuk e pranon publikisht është një pyetje tjetër. Ndoshta sepse është ‘nusja e tyre’. Ju e dini që unë kam qenë drejtor i spitalit dhe se shumë kolegë të mi punojnë atje. Pra, njeriu ynë është rrahur, ka një krah të thyer dhe një numër të madh të qepjeve, para së gjithash në kokë. Thuhet se dy veta e kanë rrahur, por askush nuk thotë se kush janë ata”, pohoi politikani serb.
“Tani pse u rrah Rakiq? Unë vetëm mund të hamendësoj dhe supozoj se janë të përfshira disa marrëdhënie personale”, tha Jakshiq ndërsa theksoi se njerëzit janë të zemëruar me Listën Serbe.
Jakshiq iu përgjigj edhe pyetjes se nëse prapa sulmit qëndron terroristi Milan Radoiçiq.
Nëse Milan Radoiçiq do ta bënte, do ta bënte shumë më lehtë në Beograd. Tani pse u rrah Rakiq? Unë vetëm mund të hamendësoj dhe supozoj se përfshihen disa marrëdhënie personale. Ai ka qenë në krye të Listës Serbe për një kohë të gjatë. Nuk e ka ndihmuar askënd, por sigurisht ka dhënë premtime. Edhe një gjë tjetër, njerëzit janë të zemëruar me Listën Serbe”, pohoi ai.
Drejtori shumëvjeçar i spitalit në Mitrovicë flet edhe për atë se çfarë fati e pret shëndetësinë dhe arsimin në veri të Kosovës dhe pse serbët i frikësohen Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
“Për ne, Asociacioni është i rrezikshëm sepse është një mashtrim i madh ndaj serbëve. Tani shëndetësia dhe arsimi janë ende në sistemin e shtetit serb. Drejtorët e spitaleve dhe qendrave shëndetësore emërohen nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë. Qeveria e Serbisë emëron anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Universitetit. Në rast të formimit të Asociacionit, gjithçka do të bie në juridiksionin e Asociacionit, i cili do të funksionojë në kuadër të sistemit juridiko-politik të Kosovës. Në këtë mënyrë shëndetësia dhe arsimi, de fakto do të kalojnë në duart e Prishtinës”, deklaroi Jakshiq.
Ndryshe, mediat kanë raportuar se Rakiqin në spital e ka dërguar ish-bashkëpartiaku, Igor Simiq.
Ndërkohë, raportohet se dy hetues policorë e kanë vizituar Rakiqin në banesën e tij dhe i kanë kërkuar të kthehet në spital për të bashkëpunuar në hetimet lidhur me rastin, kërkesa të cilat ai i ka refuzuar