Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, e cila është një lidere global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet.
Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avansimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territoririt të Republikës së Kosovës.
Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare.
“Për më tepër, hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për inovacion”, thuhet në komunikatën e ARKEP-it.
Starlink së fundmi filloi shtrirjen e internetit edhe në Shqipëri.
Ky rrjet, i cili është nën udhëheqjen e njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, ishte vital për ukrainasit që të kishin qasje në internet, kur Rusia shkatërroi infrastrukturën digjitale gjatë pushtimit. /Gazeta Enigma