Policia e Kosovës ka arritur të sekuestroj mbi 10 kg substancë narkotike të llojit kokainë që në vlerë të hollash sipas Policisë i bie afër gjysmë milioni eurosh. Për këtë rast është arrestuar një person, i cili ka rezultuar të ketë të kaluar kriminale
Në një aksion të koduar 007, Policia e Kosovës mbrëmjen e së hënës kapi dikë që pati plan.
Pos personit të dyshuar që e kontrolluan në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, ata edhe sekuestruan një sasi të madhe substancë narkotike.
Hiç më pak se 10 kilogram kokainë të ndara një nga një në 10 pako e që në vlerë sipas Policisë janë rreth 450 mijë euro.
Pas kontrollit të të dyshuarit me inicialet Z.J, zyrtarët e Policisë kanë kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në komunën e Graçanicës.
E pos kokainës, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe diçka tjetër.
“Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një veturë me targa vendore, 1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro), 8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë), dy telefona celularë,17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës”, njoftoi Policia e Kosovës.
Policia po ashtu ka njoftuar se në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është iniciuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’.
Sipas ish-hetuesit policor, Rrahman Sylejmani, është shqetësuese që Kosova më nuk është vend transit i substancave narkotike por edhe prodhues.
“Policia po duket se është aktive bukur mirë sepse po disponon informacione të ndryshme, pa informacione elementi i rastësisë rrallë ndodhë që bën punë. Mund të ndodhë edhe ajo por duhet të posedohen informacione dhe Policia apo njësitë e ndryshme t’i përfundoj me sukses këto kontrolle. Edhe patrullimet nëpër brendësi të qyteti apo jashtë e bëjnë efektin të bëjnë preventiven”, tha Sylejmani.
Për aksionin e Policisë, saktësisht Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotikë ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se aktivitetet policore në luftimin e krimeve pavarësisht llojit, por edhe përkatësisë nacionale do të jenë të pandalshme dhe të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit.