Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe se nuk ka asnjë arsyetim për të mbetur e mbyllur.
Ai theksoi se Kosova është e gatshme për hapjen e saj, por po pret që edhe partnerët ndërkombëtarë të jenë të gatshëm, shkruan Gazeta Enigma.
“Ne jemi të përgatitur që ura të hapet; nuk kemi asnjë argument që na bën të besojmë se ajo duhet të mbetet e mbyllur. Presim që partnerët tanë të shprehin gatishmërinë e tyre. Ata kanë shfaqur shqetësime për sigurinë, e cila është një nga hezitimet për hapjen e urës. Si institucione të Republikës së Kosovës, jemi të angazhuar dhe besojmë se nuk ka elementë destabilizues brenda Kosovës që mund të shkaktojnë situata të pa menaxhueshme,” tha Krasniqi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ministri gjithashtu diskutoi mbylljen e objekteve të strukturave paralele në Kosovë, duke theksuar se nuk ka vend për këto institucione dhe se do të mbyllen të gjitha.
Kur u pyet për kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Krasniqi u shpreh se “nuk ka përgjigje të re për një çështje që nuk është e re.”/GazetaEnigma/