Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler.
Në këtë takim, dy ministritë nënshkruan një protokoll të rishikuar për bashkëpunim në fushën e trajtimit mjekësor, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas marrëveshjes, kuotat për trajtimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në institucionet mjekësore ushtarake turke do të rriten nga 50 në 75 trajtime falas në vit, duke shënuar një rritje prej 50 për qind.
Përveç kësaj, protokolli përfshin ushtrime të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnime mjekësore para zbarkimeve, shkëmbimin e personelit mjekësor dhe aktivitete shkencore.
Më shumë se 300 ushtarë të FSK-së janë trajtuar falas në Turqi në kuadër të këtij bashkëpunimi. Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Turqisë./GazetaEnigma/