Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë me dije se sot zyrtarisht janë njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që iu kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për Komunën e Suharekës, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Muharremaj ka njoftuar se ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive.
“Sot zyrtarisht jemi njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që na kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për ne si Komunë e Suharekës, deri sa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore”, ka deklaruar ai.
“Ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive”, tha Muharremaj.
“Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng i një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna. Për këtë situatë, duhet të veproj urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë”, ka deklaruar kryetari i Suharekës./ Gazeta Enigma/