Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nga janari parashihet rritja e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Murati tha se këtë herë, rritja nuk do të bëhet ashtu siç ka ndodhur rëndom, që të rritet vlera e koeficientit e të përfitojnë të gjithë, por, tha se “kemi vendosur që ta shpërndajmë në vlerë absolute, ku pastaj nëse përkthehet në përqindje, i bie që për disa pozita që kanë paga më të ulëta, rritja i bie më e lartë, kurse për pozitat më të larta, rritja mund të jetë 5 deri në 7 përqind, shkruan Gazeta Enigma.
“Kësisoj, edhe po e ruajmë qëndrueshmërinë fiskale, por edhe po sigurohemi që ata që janë kontribuuesit më të mëdhenj për mbajtjen dhe funksionimin e vazhdueshëm të administratës publike, mësuesit, zjarrfikësit, policët, ushtarët, administrata publike, të përfitojnë më së shumti nga kjo rritje”.
“Edhe në diskutimet që kemi pasur edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, saktësisht me FMN-në, ka qenë një negocim i vazhdueshëm që ata t’i bindim dhe falë disiplinës fiskale dhe maturisë sa i përket politikave fiskale që kemi treguar në katër vitet e fundit, ka qenë më e lehtë që të binden, që të shkojmë me këtë version”, tha Murati në konferencë për media.
Më tej, ai përmes një grafike, tha se me metodën e re për rritjen e pagave në sektorin publik, pagat e mësuesve, policëve, infermierëve, zjarrfikësve dhe ushtarëve do të rriten për nga 110 euro./GazetaEnigma/