Bordi i RTK-së ka dështuar të emërojë ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, pas dorëheqjes së Adi Krastës nga kjo pozitë, duke e lënë RTK kështu pa udhëheqësin kryesor të menaxhmentit, shkruan Enigma.
Në votimin që është bërë sot për emërimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK, gjashtë vota kanë qenë për dhe një kundër.
“Bordi me seriozitet të lartë do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale për të gjetur një zgjidhje që të sigurojë funksionimin menaxherial të RTK-së, në përputhje me rregullativën ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas Ligjit të RTK-së, Drejtori i përgjithshëm ndër të tjera menaxhon veprimtarinë e RTK-së, duke marrë vendime për çështjet e organizimit, financave dhe pagave sipas kritereve të përcaktuara nga Bordi i RTK-së, si dhe përfaqëson RTK-në brenda dhe jashtë vendit, etj.