Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet N.H., N.B. dhe A.B.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.H., më 8 Gusht 2024, në komunën e Vitisë, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të pandehurit N.B. dhe A.B., duke rrezikuar edhe persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin vend, ashtu që për shkak të një mosmarrëveshje për blerjen e një prone, me armë automatike gjuan drejt tyre, me ç’rast të pandehurit N.B., i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.
“Ndërsa, të pandehurit A.B. lëndime të lehta trupore, ku me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”. I njëjti po ashtu akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi pa autorizim ka mbajtur në pronësi armë zjarri të markës AK-47”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje thuhet se i pandehuri N.B., në datën dhe vendin e lartcekur, ka tentuar ta privoj nga jeta të pandehurin N.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarës V.H., e cila ishte në të njëjtin vend, ashtu që me armë zjarri gjuan në drejtim të tij, por nuk arrin që ta qëllojë, ku me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.
Gjithashtu, i njëjti akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi pa autorizim ka mbajtur në pronësi armën e zjarrit të markës SIG 14.
Ndërsa, i pandehuri A.B., akuzohet për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur një pushkë gjuetie e markës CIF-San, të cilën e posedonte pa leje valide.