Zëvendëspresidentja Kamala Harris, të mërkurën mbrëma doli para turmës në Universitetin Hoëard për të pranuar humbjen ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump.
“Sot zemrën e kam plot”, tha Harris. “Sot zemra ime është plot – plot falënderime për besimin që e keni vënë në mua, plot dashuri për vendin tonë”, tha Harris.
“Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që e deshëm, jo ai që luftuam, jo ai për të cilin votuam. Por më dëgjoni kur them: Drita e premtimit amerikan do të shndrit gjithmonë fort”.
Ajo falënderoi familjen e saj, sikurse edhe presidentin Joe Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden.
“Dougu im i dashur dhe familja jonë, ju dua shumë. Për presidentin Biden dhe Dr. Biden, faleminderit për besimin dhe mbështetjen tuaj. Jam krenare për fushatën që e bëmë në 107 ditë”, tha ajo, teksa falënderoi mbështetësit.
Harris në fjalimin e saj tha se ndërsa i kupton emocionet e mbështetësve të saj, “vendi duhet t’i pranojë rezultatet zgjedhore”.
“E di tani që populli ka emocione të shumta. E kuptoj”, tha Harris, para se të shtonte: “Por duhet të pranojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve”.
Harris tregoi po ashtu se e ka telefonuar Presidentin e zgjedhur Donald Trump për ta uruar dhe tha se ia theksoi atij se “do të angazhohemi për një transferim të qetë të pushtetit”.