Llugaliu takohet me homologun shqiptar, flasin për zhdoganimin në portin e Durrësit

Llugaliu takohet me homologun shqiptar, flasin për zhdoganimin në portin e Durrësit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, Genti Gazheli po qëndron në Kosovë bashkë me delegacionin e tij.

Ai është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, me të cilin kanë diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me operacionet efikase të zhdoganimit në portin e Durrësit, funksionimin e përbashkët në pikën kufitare Morinë/Vërmicë, si dhe u shkëmbyen informata mbi përparimin e zhvillimeve aktuale dhe projekteve që synojnë rritjen e efikasitetit për adresimin e ekonomisë joformale, mbrojtjen e shoqërisë dhe lehtësimin e tregtisë, sipas praktikave më të mira dhe në përputhje me acquis të BE-së.

“U theksua se marrëveshjet për integrimin e sistemeve tona dhe bashkëpunimi për lehtësimin e tregtisë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, kursimet për ekonomitë tona dhe gjithashtu rritjen e konkurrueshmërisë së Portit të Durrësit. Një sukses i tillë është reflektuar si arritje e rëndësishme edhe në raportin e fundit të BE-së për vendin”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e Doganave të Shqipërisë informuan gjithashtu mbi fillimin e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, duke ndarë informacione të rëndësishme me Doganën e Kosovës, që do të ndihmojnë në përgatitjet për këtë proces.

Drejtorët e Përgjithshëm ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin në të gjitha nivelet për të siguruar shkëmbim efikas të përvojave për përmirësimin e kapaciteteve doganore për sfidat e ardhshme.

Related Articles