Haxhiu viziton shërbimin korrektues në Turqi, diskuton për menaxhim më të mirë të burgjeve

Haxhiu viziton shërbimin korrektues në Turqi, diskuton për menaxhim më të mirë të burgjeve

Në përfundim të vizitës së saj zyrtare, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Republikës së Turqisë.

Gjatë kësaj vizite, Haxhiu u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Paraburgimit të Turqisë, Yavuz Yildirim. Gjatë takimit, u zhvilluan diskutime të rëndësishme mbi reformat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e sistemit të burgjeve dhe rehabilitimin e të burgosurve.

“Ministrja Haxhiu u njoh nga afër me mënyrën e funksionimit të këtij sistemi dhe me praktikat që autoritetet turke zbatojnë për menaxhimin e institucioneve të tyre”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Ministrja Haxhiu gjithashtu vuri në pah arritjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), si ngritja e infrastrukturës ligjore, krijimi i njësive në institucionet korrektuese, themelimi i Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta dhe zgjerimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Ajo e konsideroi të domosdoshme rritjen e sigurisë përmes pajisjeve të reja teknologjike, si dhe përmirësimin e aftësive profesionale të stafit përmes trajnimeve të avancuara për situatat emergjente dhe për përcjelljen e të burgosurve”.

Gjithashtu, Haxhiu vizitoi edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Teknologjisë së Informacionit, ku pa nga afër menaxhimin e databazave dhe mënyrën se si zhvillohet dhe monitorohet sistemi i drejtësisë.

“Në përfundim, ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave me Turqinë në menaxhimin e sistemit të burgjeve, atij sprovues dhe Teknologjise se Informacionit, me qëllim të rehabilitimit dhe riedukimit të të burgosurve si pjesë e procesit të integrimit dhe risocializimit të tyre në shoqëri”.

Related Articles