Hoti: Qeveria e ardhshme duhet ta kthejë fokusin tek marrëveshja e Uashingtonit

Hoti: Qeveria e ardhshme duhet ta kthejë fokusin tek marrëveshja e Uashingtonit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek marrëveshja e Uashingtonit, e cila u arrit në kohën kur Hoti ishte kryeministër.

“Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020. Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.

Deputeti i LDK-së tha se pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare.

“Në anën tjetër, hekurudhora për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit, dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore”.

Hoti nuk la pa kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se katër vite “kanë humbur”.

“Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë. Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai. /Gazeta Enigma

Related Articles