Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, i cili po mbahet në Vilnius të Lituanisë.
E para e MPJD-së tha se “besimi në demokraci, solidariteti mes demokratëve dhe një qasje e qartë për mbështetje dhe parandalim ndaj agresorëve janë elementet që do ta forcojnë të ardhmen demokratike të Evropës dhe do të pengojnë përhapjen e ekstremizmit dhe populizmit, të cilat mund të kërcënojnë të ardhmen demokratike të këtij kontinenti”.
Gërvalla po ashtu përmendi rëndësinë e fitores së Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë, duke paralajmëruar për pasojat e çdo kompromisi të mundshëm.
“Çdo zgjidhje tjetër kompromisi është receta për luftën e ardhshme në Baltik, në Poloni ose në Ballkanin Perëndimor, ku kemi një përfaqësues të Putinit dhe Rusisë, që sulmoi vendin tim në shtatorin e kaluar me të njëjtën retorikë, me skemën e Putinit, të njëjtat fjalë, të njëjtin fjalor që Putini ka përdorur në Ukrainë”, tha ministrja.