Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim të ngjeshur me qytetarët dhe strukturat e partisë në Klinë, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë nga kjo komunë.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj theksoi mbështetje të fuqishme për vizionin e AAK-së, duke e konsideruar këtë si një mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për Kosovën, shkruan Gazeta Enigma.
Kandidatët për deputetë nga Klina, të cilët do të bartin këtë vizion në Kuvendin e Kosovës, janë Prof. Zenun Elezaj, Marqe Selmanaj dhe Dr. Haxhi Ibishi. Haradinaj vlerësoi ekspertizën dhe përvojën e secilit prej kandidatëve, duke theksuar se Prof. Zenun Elezaj, për shkak të qeverisjes model që ka udhëhequr në komunë, do ta çojë këtë përvojë edhe në nivelin qendror.
“Prof. Zenun Elezaj, si një profesionist i njohur, do të jetë një zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, Marqe Selmanaj dhe Dr. Haxhi Ibishi janë figura të njohura që do të kontribuojnë me përvojën e tyre të pasur për të sjellë përfaqësim dinjitoz dhe të suksesshëm për qytetarët e Klinës,” shtoi Haradinaj.
Lideri i AAK-së theksoi se një nga prioritetet kryesore të programit të partisë është përmirësimi i kushteve ekonomike për qytetarët e Kosovës, duke parashikuar rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta formojmë, vlera e koeficientit do të jetë 155 euro, dhe që në vitin e parë, pagat minimale nuk do të jenë nën 500 euro, ndërsa paga mesatare nuk do të jetë nën 1000 euro. Në vitet në vazhdim, do të kemi rritje të pagave me 12-13% çdo vit, duke arritur në 1500 euro paga mesatare deri në vitin 2028. Po ashtu, pensionet do të rriten për 50% në vitin 2025 dhe do të ndjekin rritjen e pagave pas kësaj,” theksoi Haradinaj./GazetaEnigma/