Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, kërkoi të martën dënimin me 4 vjet burgim për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako. I arrestuar në qershor të vitit 2023, Dako ndodhet në arrest shtëpie që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi Gjykata konstatoi se afatet e paraburgimit gjatë hetimeve paraprake kishin përfunduar, duke urdhëruar për pasojë, lirimin e tij.
Ndaj ish-kryebashkiakut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, në dy raste. I pari lidhet me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe me plotësimin e dokumentacionit deri në regjistrimin e pasurisë. Zbardhja e lejes së ndërtimit sipas Prokurorisë është bërë tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar, duke hartuar më pas në mënyrë fiktive dokumentacionin e kërkuar.
Rasti i dytë lidhet me procedurën e një tenderi për projektin e një shëtitoreje përgjatë bregdetit, me një fond prej 21 milionë lekësh. Sipas hetimit, përllogaritja e fondit limit është bërë në mënyrë të gabuar, duke nxjerrë një vlerë disa herë më të lartë, dhe se nuk janë marrë masa për të korrigjuar gabimin, ndonëse ai ishte vënë në dukje nga aktet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Çështja ndaj tij kaloi për gjykim në muajin prill. Ai i ka mohuar akuzat dhe zgjodhi gjykim të shkurtuar. Në rast të shpalljes fajtor, ai do të përfitojë uljen me një të tretën.
Gjykim të shkurtuar kanë kërkuar dhe tre persona të tjerë të përfshirë në këtë proces. Nën akuzë për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, është vënë sipërmarrësi, njëkohësisht administratori i kompanisë ndërtuese Fiqiri Farruku, si dhe dy inxhinierë, njëri topograf dhe një tjetër i cili ka kryer kolaudimin e ndërtesës. Për të tre, prokurori kërkoi dënimin me tre vjet burgim, por njëkohësisht dhe pezullimin e vuajtjes së dënimit. Për Farrukun për shkak të moshës së thyer dhe gjendjes shëndetësore, ndërsa për dy të tjerët, për shkak se kanë fëmijë në moshë të mitur dhe me problem të shëndetit.
Dako, i cili ka drejtuar qytetin e Durrësit për tre mandate, ka qenë një nga ish eksponentët e Partisë socialiste, Në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor.