Shqipëria reagon për pasivizimin e adresave në Luginë: Shkelje e të drejtave të njeriut

Shqipëria reagon për pasivizimin e adresave në Luginë: Shkelje e të drejtave të njeriut

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka thënë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë, përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, “duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore”.

MEPJ tutje tha se po ndjek me vëmendje këtë fenomen dhe se ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare.

“Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre”.

“Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave”, ka thënë MEPJ-ja në reagimin e saj.

Adresat e mijëra shqiptarëve nga tri komunat në pjesën jugore të Serbisë, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, janë shuar nga autoritetet serbe.

Për këtë ka pasur reagime të vazhdueshme, si nga aktorët politikë në Kosovë e Shqipëri, ashtu edhe nga organet e BE-së.

Debati për pasivizimin e adresave u rihap pasi të mërkurën u publikua një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, përmes së cilit i ishte refuzuar ankesa Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës.

Related Articles