Tahiri e quan “superskandal” miratimin e Buxhetit

Tahiri e quan “superskandal” miratimin e Buxhetit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka cilësuar si “superskandaloze” seancën parlamentare të së enjtes, ku u miratua në lexim të dytë Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, në vlerë prej 3 miliardë e 608 milionë euro.

Tahiri ka theksuar se deputetët dhe organizatat buxhetore kanë pasur vetëm 41 orë kohë për të shqyrtuar këtë ligj, duke e konsideruar këtë si një proces të papranueshëm dhe të ngutshëm, shkruan Gazeta Enigma.

Deputeti i AAK-së ka kritikuar mënyrën e trajtimit të buxhetit, duke theksuar se ky afat i shkurtër nuk lejon një diskutim të detajuar dhe të plotë për shpërndarjen e fondeve të rëndësishme.

Ai ka thënë se refuzimi dhe ngulfatja e debatit për miratimin e tij përmes një procedure antidemokratike të kufizuar në më pak se 2 ditë, nxjerr në pah të paktën tri probleme të mëdha të këtij modeli të dështuar qeverisës të Kurtit dhe LVV-së.

“Problemi i parë lidhet me injorancën dhe jokompetencën. Më konkretisht, Ligji për Buxhetin, si një ligj i përgjithshëm, dhe Ligji i Pagave, si një ligj i veçantë dhe organik, kanë raporte specifike mes tyre. Ndryshimet në një ligj të veçantë nuk mund të bëhen përmes një akti tjetër ligjor. Thënë ndryshe, ndryshimi i strukturës së koeficientëve nuk mund të bëhet me asnjë akt tjetër përveçse përmes një procesi të posaçëm të plotësim-ndryshimit që kërkon procedurë të veçantë”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka theksuar sidomos mungesën e transparencës dhe debatit për këtë ligj.

“Problemi i dytë lidhet me mungesën e transparencës dhe debatit. Si mund të trajtohet një ligj i tillë pa i dhënë publikut dhe taksapaguesve mundësinë për të kuptuar se si planifikohen të shpenzohen kontributet e tyre? A do të përdoren ato për paga, shërbime, projekte, zhvillim njerëzor, modernizim apo ndonjë fushë tjetër? Kjo qeveri, ky kryeministër dhe këta ministra trajtojnë paranë publike me të njëjtën qasje dhe logjikë sikur një kompani që vendos për financat e saj në një takim të bordit të aksionarëve. Madje, sot, kompanitë e etabluara nuk marrin vendime pa përfillur shqetësimet dhe kërkesat e palëve me interes”, ka shkruar Tahiri./GazetaEnigma/

Related Articles