Nga 29 gushti ka filluar ka filuar aplikimi për regjistrimin e votuesve nga diaspora dhe do të përfundojë më 26 dhjetor, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri më tani janë regjistruar mbi 25 mijë kërkesa për regjistrim, prej të cilave mbi 23 mijë janë aprovuar.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 3 dhjetor, përmes platformës elektronike (http://diaspora.kqz-ks.org), janë pranuar më shumë se 25,100 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 23,618 ndërsa 1,525 të tjera janë refuzuar”, tha ai.
Tutje Elezi ka shtuar se “në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. Nga 23,618 aplikime të aprovuara, 6,228 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 3,575 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 13,815 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”.
Sipas tij nëse kjo kërkesë iu refuzohet, kjo nuk është përfundimtare, pra ju mund të ri-aplikoni.
“Është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë”.
“KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, deklaroi ai.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, tha Elezaj. /Gazeta Enigma/