Donika Gërvalla konfirmon aderimin e deputetes Albena Reshitaj në partinë “Guxo”

Donika Gërvalla konfirmon aderimin e deputetes Albena Reshitaj në partinë “Guxo”

Kryetarja e Partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka konfirmuar aderimin e deputetes Albena Reshitaj në këtë parti, raporton Enigma.

Gërvalla shtoi se angazhimi i deputetes “ka qenë gjurmë, si në politikë ashtu edhe në shoqëri”.

“Një grua e fortë, me profesionalizëm të dëshmuar, i bashkohet Partisë Guxo. E rritur në një familje që mishëron vlerat patriotike dhe përkushtimin profesional, prof. Dr. Albena Reshitaj ka dëshmuar vendosmëri dhe lidership në kohët kur Kosovës i nevojiteshin më shumë se kurrë stabiliteti dhe reformat. Angazhimi i saj i guximshëm ka lënë gjurmë, si në politikë ashtu edhe në shoqëri, duke i kthyer profesionalizmin dhe integritetin në shtylla të veprimtarisë së saj. Së bashku do të punojmë me guxim e vendosmëri për një Republikë të fortë e të zhvilluar të Kosovës”, ka thënë Gërvalla.

Reshitaj ka shkruar në Facebook se i është bashkuar partisë “Guxo” për të mirën e Kosovës.

“Sot, me përkushtim dhe e vendosur për të vazhduar kontributin tim për vendin, ju njoftoj se po i bashkohem Partisë Guxo për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Së bashku, do ta forcojmë Republikën e Kosovës dhe do të dëshmojmë se guximi ynë është forca që ndryshon historinë! Nuk ka kthim prapa për Kosovën tonë që e duam. Bashkë për drejtësi, barazi, zhvillim e dinjitet. Faleminderit për pritjen e ngrohtë Kryetare Donika Gërvalla. Na priftë e mbara”, ka thënë ajo.

Related Articles