Republika Sërpska kërkon që Kurti të shpallet non-grata në Bosnje, paralajmërojnë shkëputje

Republika Sërpska kërkon që Kurti të shpallet non-grata në Bosnje, paralajmërojnë shkëputje

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, miratoi një deklaratë që dënon vizitën e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë vend.

Deklarata, në mënyrë indirekte, kërcënon se “entiteti mund të shpallë shkëputjen nëse vullneti i tij nuk respektohet nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Gjithashtu, ata kërkuan që autoritetet shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë të shpallin persona non grata kryeministrin e Kosovës.

Kurti qëndroi për një vizitë pune në Bosnje dhe Hercegovinë javën e kaluar, ku në Sarajevë takoi disa nga zyrtarët më të lartë të Bosnje-Hercegovinës, si anëtarët e Presidencës, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, dhe kryeministrin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq.

Vizita e Kurtit në Sarajevë u pasua me dënime të shumta nga politikanët serbë të Bosnjës, të cilët pohuan se për ta ishte një fyerje dhe një reflektim i mosrespektimit për faktin se Bosnja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

HRT shkruan se njohja e pavarësisë së Kosovës “u bllokua pikërisht nga politikanët e RS-së që ndjekin pa kushte politikën e Beogradit” dhe për shkak të shkuarjes së Kurtit në Sarajevë, ministrat serbë të Bosnjës në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës kanë bojkotuar mbledhjet prej ditësh, duke penguar kështu miratimin e ligjeve të reformave të nevojshme që Bosnja dhe Hercegovina të fillojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Me propozimin e shumicës qeverisëse të kontrolluar nga Millorad Dodik, parlamenti i RS-së, në seancën e mbajtur në Banjallukë, dënoi sërish vizitën e kryeministrit të Kosovës në një deklaratë të posaçme, duke e cilësuar atë si “një akt provokimi të drejtuar kundër RS-së dhe populli serb”.

Ata kanë pohuar se “kjo është shprehje e mosrespektimit të integritetit territorial të Serbisë, por edhe e mosrespektimit të vullnetit të RS-së”.

Nëse kjo vazhdon, thuhet në deklaratë, RS do të “përdorë të gjitha të drejtat që ka sipas ligjit ndërkombëtar”, duke përfshirë ato që dalin nga Karta e Kombeve të Bashkuara, të cilat i referohen të drejtës për vetëvendosje.

Related Articles