Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se “shumë shpejtë” do të fillojnë punimet për hapjen e fabrikës për prodhimin e municioneve në Kosovës, dhe se e njëjta do të hapet “në afat rekord”.
“Republika e Kosovës do të ndërrojë kapacitetet për të prodhuar municionet e nevojshme për ushtrinë, por edhe për Policinë e Kosovës, besoj se duke parë kontratën shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe në afatin rekord brenda kërkesave teknike kjo do të realizohet. Vullneti ynë është që kjo të bëhet sa më parë, ka gatishmëri edhe nga pala tjetër ata të fillojnë menjëherë dhe të ketë angazhim serioz që kjo të kryhet me sukses. Me përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur ne dhe ka qenë evidente do të tejkalohet qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale, qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme, po ashtu edhe në trajtimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucione që përdorin këtë lloj të municione”, ka thënë ministri Sveçla sot para mediave.
Tutje, i pari i MPB-së tha se Kosova, për këtë fabrikë është në bisedime edhe me Shtetet e Bashkuara.
“Për zhvillimin e gjithë industrisë të mbrojtjes dhe sigurisë kemi kontakte dhe biseda e negocime me të gjithë, patjetër që ShBA që është aleati ynë kryesor strategjik dhe kemi bashkëpunim të ngushta edhe me ta do të bisedojmë me të gjithë ata parterë të cilët plotësojnë nevojat tona por edhe janë si vazhdimësi e bashkëpunimi të pa kursyer të pandalshëm mes nesh. Do të ketë dhe jam i bindur rezultatet të tjera të cilat do të shfaqen shumë shpejtë dhe do të kemi lajme të mira ende”, deklaroi Sveçla.
Kosova dje ka nënshkruar kontratë me prodhuesin turk shtetëror “Makine ve Kimya Endüstrisi” për hapjen e kësaj fabrike.