Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar refuzimin e vizitës së ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në Preshevë nga autoritetet serbe si një përpjekje të radhës për të izoluar shqiptarët e Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës.
Kamberi theksoi se këto përpjekje nuk mund të zhbëjnë lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore që shqiptarët e Luginës kanë me Kosovën, shkruan Gazeta Enigma.
“Pengimi i vizitës së Ministrit Hajrulla Çeku në Preshevë nga autoritetet serbe, përpjekje e radhës për të izoluar shqiptarët e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Kur edhe shkëmbimi kulturor i pengon dëshmia më e mirë e karakterit autoritar, diskriminues e antishqiptarë i pushtetit të Vuçiqit.
Tentativat me na izolu dhe pengesat artificiale nuk mund ta zhbëjnë lidhjen tonë historike, kulturore dhe njerëzore me Kosovën”, shkroi Kamberi në profilin e tij në Facebook./GazetaEnigma/