Gjykata Kushtetuese: Kuotat gjinore në ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese: Kuotat gjinore në ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili kishte ngritur pretendime për cenim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin në rastin KO15/24, ku shqyrtohej kushtetutshmëria e nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të parashtruar nga Avokati i Popullit. Me tetë vota për dhe një kundër, Gjykata ka pranuar kërkesën si të pranueshme dhe njëzëri ka konstatuar se neni 28 i Ligjit nuk bie ndesh me Kushtetutën.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur në rastin KO15/24 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Gjykata, (i) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme; ndërsa (ii) njëzëri, që të konstatoj që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit nr. 08/L- 228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Sipas aktgjykimit, kuotat gjinore prej së paku 30% për secilën gjini në listat zgjedhore janë në përputhje me nenin 45 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. Gjykata thekson se ky përcaktim përfaqëson një masë afirmative që synon barazinë gjinore në politikë, duke u bazuar në standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Aktgjykimi, fillimisht sqaron që, thelbi i çështjes së ngritur para Gjykatës, ndërlidhet me nenin 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe i cili përcakton që (i) në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) përqind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) përqind janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë; (ii) kjo dispozitë nuk aplikohet te listat e përbëra nga një apo dy kandidatë; dhe (iii) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndanë fonde publike shtesë, në vlerën një përqind (1%) të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik, për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën tridhjetë përqind (30%) në momentin e certifikimit dhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon pas çdo palë zgjedhje buxhet shtesë për këtë qëllim”, thuhet tutje në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vendimin e saj, Gjykata vë theks te rëndësia e barazisë gjinore si një vlerë thelbësore kushtetuese për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe obligimin e institucioneve publike për të siguruar mundësi të barabarta për pjesëmarrjen e grave dhe burrave në jetën publike dhe politike. Po ashtu, Gjykata thekson se kuotat gjinore janë një masë e përkohshme dhe e nevojshme deri në arritjen e barazisë së plotë gjinore.

Aktgjykimi adreson edhe pretendimet e Avokatit të Popullit, i cili kishte argumentuar se kuotat gjinore përbëjnë një formë diskriminimi të pajustifikuar dhe cenojnë frymën e barazisë gjinore. Në përgjigje, Gjykata sqaron se masa e përcaktuar ligjërisht është në përputhje me parimet kushtetuese dhe përbën një mjet të domosdoshëm për të adresuar pabarazitë ekzistuese.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se përcaktimi i kuotës gjinore prej 30% në listat zgjedhore është një masë afirmative e nevojshme për të garantuar barazinë gjinore, duke lënë Kuvendin përgjegjës për përcaktimin dhe zbatimin e kësaj mase. Ndërkaq, përfaqësimi prej 50% i synuar në Ligjin për Barazi Gjinore është një aspiratë dhe jo një detyrim ligjor, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm nga institucionet drejt realizimit të barazisë gjinore në mënyrë graduale.

Sipas Gjykatën Kushtetuese, aktgjykimi vë theks në faktin që Republika e Kosovës ka detyrimin kushtetues që të sigurojë barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.

Related Articles