Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha të enjten se vendi i tij do të pranojë punëtorë të përkohshëm nga shtetet që s’janë pjesë e Bashkimit Evropian për ta lehtësuar mungesën e fuqisë punëtore dhe për ta ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike.
Përktheu: Nasuf Abdyli
Kryediplomati hungarez bëri të ditur se disa agjenci punësimi do të lejohen që të marrin punëtorë të huaj me shkathtësi përkatëse, por një gjë e tillë do të bëhet nën kushte të rrepta, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Enigma.
Ekonomitë e Evropës Qendrore po rimëkëmben më shpejt sesa është pritur nga pandemia e koronavirusit, por mungesa kronike e punëtorëve, e cila ka qenë e pranishme edhe para krizës shëndetësore, mund ta pengojë rritjen ekonomike.
Në kohën e shpërndarjes së fondeve të Bashkimit Evropian dhe investimeve, kompanitë e prodhimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe ndërtimtarisë po garojnë për të tërhequr punëtorë.
Ministri hungarez tha se legjislacioni i ri, përfshirë atë për punëtorët e përkohshëm, ka për qëllim që ta ndihmojë rifillimin e shpejtë të ekonomisë, që ky rifillim të jetë më i shpejti në Evropë.
Rregullat e reja i lejojnë agjencitë e punësimit që të marrin punëtorë të përkohshëm nga vendet përtej fqinjeve të BE-së. Ndryshe, Hungaria më 2017 i kishte lehtësuar rregullat për punëtorët që vijnë nga Serbia dhe Ukraina.
Në masat lehtësuese, për të cilat njoftoi Szijjarto, përfshihen lehtësimi i procedurave burokratike ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe qiratë e lira për t’i ndihmuar kompanitë hungareze që të zgjerohen jashtë vendit ose të investojnë në projekte të gjelbra./Gazeta Enigma/