Antonio Conte ka analizuar në Gazzetta Dello Sport Italinë dhe Anglinë para finales së madhe të EURO 2020, që luhet të dielën prej orës 21:00.
Ish trajneri i Interit beson se Italia është favorite shkaku i përvojës dhe triumfeve në të kaluarën, derisa Anglia po e kërkon Evropianin e parë në histori.
Anglia do të ketë në favor faktorin vendas, pasi ndeshja do të luhet në “Wembley” dhe pa asnjë dyshim do të ketë shumë më shumë tifozë anglezë.
“Italia është e vështirë të mposhtet, pasi kurrë nuk e gjen të papërgatitur. Ne nuk lëmë hapësira dhe detyrojmë gjithmonë kundërshtarin të bëjë veprime të komplikuara”, tha ai.
“Gjithashtu kemi një mur të formuar nga Donnarumma, Bonucci e Chiellini. Për mua Gigio është një nga tre portierët më të mirë në botë”.
“Çfarë mund të themi për Bonucci e Chiellini? Edhe pas 1000 betejash ata ende mbajnë erë gjaku. Kanë mentalitet fituesi, karakter, forcë. Në momentet e vështira ata janë absolutisht lojtarët kryesorë”.
“Anglia? Ndryshe nga Spanja që e kalon topin prapa, Anglia gjithmonë përpiqet të godasë në situatat një kundër një”.
“Vlerësim për Harry Kane, për aftësinë e tij për të marrë topin dhe për luajtur me ekipin, siç ndodhi te goli i barazimit me Danimarkën. Ai është i zoti për këtë pjesë, por si trajner do ta mbaja në zonë, pasi është klinik aty”.
“Anglia ka edhe dy mesfushorë shumë fizikë, si Rice dhe Phillips. Ata i sjellin ekuilibër skuadrës”.
“Një pikë e dobët për Anglinë është që nëse u bëhet presing në mbrojtje kur ndërtojnë nga prapa aksionet sulmuese, ata nuk janë aq të mirë sa Spanja për t’i shpëtuar presingut”.
“Finalja e parë që pas Botërorit 1966? Mund të jetë një erë në velat e tyre, ose një spirancë e madhe që i rëndon ata. Ne do të kemi më pak tifozë në stadium, por më shumë përvojë se ata në fushë. Ne e dimë se çfarë do të thotë të luash finale, gjithashtu ne dimë edhe si fitohen ato”.
Anglia përveç terrenit vendas, që është një përparësi, është edhe skuadra që ka pësuar më së paku gola në Kampionatin Evropian, vetëm një kundër Danimarkës në gjysmëfinale ditë më parë, çka do të thotë se do të jetë një finale e luftuar dhe do të vendosin detajet./Gazeta Enigma/