Mosdekretimi i ligjit për mbrojtje të fëmijëve për shkak të Gjuhës Shqipe nga ana e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. është bërë tema kryesore në vend tashmë një javë. Analistët politikë dhe parti politike kanë dalë me qëndrime, disa kundër e disa në mbrojtje të vendimit të presidentes.
Mediat kanë zbuluar edhe nenet të cilat janë të “papranueshme” për presidenten Siljanovska-Davkova dhe për shkak të së cilës ajo nuk e ka nënshkruan ligjin në fjalë.
Ja çfarë thonë disa nga nenet që janë problematike për presidenten.
“Neni 9, Paragrafi (4) ndryshohet si vijon: “(4) Licenca e punës është dokument publik dhe lëshohet në dy kopje, njëra prej të cilave është për aplikantin dhe kopja tjetër i mbetet ministrisë. Licenca e punës lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj”.
Problematike për Siljanovskën është edhe neni 10 që thotë:
Neni 10
Në nenin 177-b paragrafi (2) ndryshohet si vijon:
“(2) Pjesa e parë e provimit nga paragrafi (1) i këtij neni jepet në mënyrë elektronike, në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj, duke iu përgjigjur një numri të caktuar të pyetjeve të testit elektronik në kompjuter”.
Pas paragrafit (3), shtohen dy paragrafë të rinj (4) dhe (5), të cilët thonë:
“(4) Me përjashtim nga paragrafi (2) i këtij neni, në rast se sistemi i vetëm elektronik për dhënien e provimit profesional për marrjen e licencës së punës nuk është në funksion dhe për shkak të urgjencës që të mos vijë deri te pengesa në vazhdimësinë e procesit të licencimit, provimi nga paragrafi (1) i këtij neni bëhet me shkrim, në letër, në gjuhën maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj. Neni (5) Mënyrën e dhënies së provimit nga paragrafët (2) dhe (4) të këtij neni e përcakton ministri”.
Ndryshe, presidentja Siljanovska-Davkova në paraqitjen e sajë të fundit ka kërkuar të shqyrtohen dy nenet e lartpërmendura. Ajo gjithashtu ka kërkuar që edhe një herë të mendohet nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrja e licencës nuk do të lë hapësirë për autorizim diskrecional.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk ka përdorur veto dhe nuk është kundër asnjë gjuhe dhe komuniteti dhe se fjalën e fundit për këtë e kanë vetë deputetët e Kuvendit.