Gjithsej katër policë ruajnë ish-vilën e Radoiçiqit

Gjithsej katër policë ruajnë ish-vilën e Radoiçiqit

Në vilën që buzë Ujmanit e kishte ngritur Milan Radoiçiq, tani qëndrojnë gjithsej katër policë brenda një ndërrese dhe brenda saj një pjesë e kamerave nuk funksionojnë. Në polici nuk e shohin problematik numrin e policëve që operojnë aty, por e pranojnë se zona ku ndodhet vila në Zubin-Potok është e ndjeshme në aspekt të sigurisë

Në rreth 43 arë sipërfaqe, që më herët ishte pronë e njeriut që udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, qëndrojnë katër policë gjatë një ndërrese.

E vendosur vetëm pesë kilometra rrugë nga pika kufitare Bërnjak e me dalje në liqenin e Ujmanit, vila 1.9-milionëshe mbikëqyret nga kamerat, por një pjesë e madhe e atyre që janë vendosur në hapësirën e brendshme, sipas burimeve të KOHËS, janë jashtë funksionit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, thotë se çështja e kamerave nuk është shqetësuese.

“Kamerat herë mund të jenë në funksion e herë mund të mos jenë në funksion. Me rëndësi është që njerëzit të jenë aty afër gjatë gjithë kohës, që njerëzit të jenë vigjilentë, të kenë kujdes. E zona si zonë është mjaft delikate, krejt veriu i vendit, jo vetëm zona e Bërnjakut, për të cilën flet ti, për vilën atje, mirëpo ne kemi numër të mjaftueshëm të policëve dhe kemi teknologji me të cilën edhe e kontrollojmë komplet zonën”, ka thënë Elshani.

Ai vlerëson se zona ku ndodhet vila është e ndjeshme, por konsideron se numri prej katër policësh në ndërresë nuk është i vogël dhe është në përputhje me planifikimet e policisë.

“Në veri të vendit ka policë të mjaftueshëm. Dy policë me qenë në një vend janë boll. Varet se si vlerësohet prej eprorëve. Ka mundësi që diku duhet të jenë 15, diku 10, diku 20. Varet prej vlerësimit operacional të policëve. Nuk është diçka e jashtëzakonshme që të jetë numri i vogël ose i madh. Ka mundësi në një moment të caktuar janë dy e ka mundësi që i heqim të gjithë”, ka theksuar Elshani.

Vila, që është ndërtim pa leje, tash menaxhohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuara dhe shfrytëzues të saj janë vetëm policët.

Në aktakuzën kundër Radoiçiqit, që e ka ngritur Prokuroria Speciale, theksohet se vila është ndërtuar buzë liqenit të Ujmanit me para që kanë origjinë kriminale. Organi i akuzës e ka mbështetur këtë duke u bazuar edhe në deklarata të dëshmitarëve serbë që e kanë ruajtur vilën e edhe të dëshmitarëve shqiptarë që kanë bërë punime në të.

Radoiçiqi është parë si përgjegjës edhe për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Related Articles