Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar të dielën qytetarëve me një mesazh dhe reagim sa i përket akuzave të ngritura nga opozita për përfshirjen e vëllait të tij Olsi Rama në dosjen “Xibraka.”
Kreu i qeverisë shqiptare tha ndër të tjera se deri më tani kishte refuzuar të komentonte për këtë çështje, pasi siç u shpreh, ka pritur verdiktin e drejtësisë.
“Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik”, raporton A2Cnn.
“Tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua – s’ka se si të jetë as e fundit – nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe”, ka shtuar Rama..