Krasniqi takohet me diplomaten amerikane: PDK e përkushtuar për një proces të rregullt gjatë fushatës elektorale

Krasniqi takohet me diplomaten amerikane: PDK e përkushtuar për një proces të rregullt gjatë fushatës elektorale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, me të cilën kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend.

Krasniqi thotë se partneriteti strategjik mbetet shtyllë e rëndësishme për avancimin politik, ekonomik dhe demokratik të Kosovës.

“Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, pata kënaqësinë të takoj znj. Anu Prattipati, të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe theksuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky partneritet strategjik ka qenë dhe mbetet shtyllë e rëndësishme për avancimin ekonomik, politik dhe demokratik të Kosovës”, shkruan Krasniqi.

Ai ka thënë se e ka informuar atë për përkushtimin e partisë që ai drejton, si dhe të kandidatit për kryeministër Bedri Hamza në nxitjen e zhvillimit ekonomik si dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

“E informova znj. Prattipati për përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatit tonë për kryeministër, Bedri Hamza, për të nxitur zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët tanë ndërkombëtarë. Gjithashtu, biseduam për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor të lirë, transparent, fer dhe demokratik”, shkruan ai.

“Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të japë kontributin e saj për një proces të rregullt dhe të drejtë përgjatë gjithë fushatës elektorale”.

Related Articles