Administrata e re Trump, plot “pro-kosovarë”

Administrata e re Trump, plot “pro-kosovarë”

Nga e hëna e 20 janarit, në krye të shtetit më të fuqishëm në botë vjen Donald Trump, pasi inaugurohet si president i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Disa pozita në administratën e tij, republikani pritet t’ua japë njerëzve që kanë lidhje dhe e njohin Kosovën, e po ashtu edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Klan Kosova.

Sekretar i Shtetit në presidencën Trump 2 do të jetë Marco Rubio, ish-senator me të cilin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua gjatë vizitave në Uashington.

Ndërkohë, Richard Grenell, ish-emisar për dialogun Kosovë-Serbi në mandatin e parë të Trumpit, do të mbajë një pozitë strategjike në administratën e re – atë të të dërguarit për Misione Strategjike.

Ish-ambasadori dhe shefi i agjencive të inteligjencës amerikane, që njihet si arkitekt i ujdisë së 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, e me të cilën ujdi Kosova mori njohjen nga Izraeli, do të fokusohet, siç raporton Reuters, edhe në ato që kjo agjenci e lajmeve i quan tensionet në Ballkan.

Ndërkohë drejtor i CIA-s do të jetë John Rattclife, ish kongresist nga Teksasi, që njihet për raportet e tija të ngushta me komunitetit shqiptaro-amerikan.

Ambasador në NATO do të jetë Mathew Whitaker, ish-prokuror i përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara dhe një besnik i presidentit Trump. I dërguari i ri në Bruksel pati bërë bujë në Kosovë, kur më 2019 pati marrë pjesë në një tubimin elektoral të PDK-së.

Për liderin e atëhershëm të kësaj partie, Kadri Veseli, amerikani Whitaker kishte thënë se “është i duhuri për ta luftuar korrupsionin”, ndërsa kishte shtuar se raportet mes Kosovës e ShBA-së janë të një rëndësie të veçantë.

Related Articles