Një rast tronditës ka dalë në dritë nga kopshti privat “Gledis” në zonën e Astirit, Tiranë, ku edukatorja Rudina Gërdani dyshohet se ka ushtruar dhunë të përsëritur ndaj fëmijëve të mitur.
Fillimisht u denoncua rasti i një 3-vjeçari, por pas verifikimit të kamerave të sigurisë është zbuluar se ajo ka dhunuar edhe fëmijë të tjerë në ambiente të ndryshme të kopshtit.
Në një nga videot e siguruara nga TvKlan, në kamerat e sigurisë, Gërdani shihet duke i bërë një foto një fëmije, përpara se ta godasë me shuplakë në fytyrë. Momente të tjera tregojnë se ajo e ka kapur nga krahët dhe e ka tërhequr me forcë një tjetër të mitur.
Prindërit e fëmijëve kanë reaguar menjëherë pas zbulimit të këtyre rasteve. Lorenc Rrapa, babai i 3-vjeçarit Priam, ka deklaruar në një intervistë se kishte dyshime për dhunën ndaj djalit të tij kur ai refuzonte të shkonte në kopsht dhe kur kishte shenja në trup. Pas hapjes së kamerave të sigurisë, ai zbuloi se dhuna nuk ishte një rast i izoluar, por e përsëritur edhe ndaj fëmijëve të tjerë.
“Brenda një periudhe prej dy orësh, të paktën dy fëmijë janë dhunuar. Gjatë vëzhgimit të kamerave pashë tre raste të ndryshme të dhunës nga edukatorja,” tha ai.
Pas denoncimeve të prindërve, policia ka shpallur në kërkim 46-vjeçaren Rudina Gërdani, e cila u largua nga kopshti sapo u bë publik rasti. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë referuar materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e saj.
Ndërkohë, pronari i kopshtit e ka pezulluar menjëherë nga puna, duke theksuar se rasti është i papranueshëm dhe se po bashkëpunojnë me autoritetet për hetimet e mëtejshme.