Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Fqinjësi, Zgjerim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ana Pisonero, ka reaguar rreth Gjenocidit të Srebrenicës, duke thënë se paqja mund të ndërtohet vetëm duke u mbështetur në drejtësi.
“Paqja mund të ndërtohet vetëm me drejtësi. Udhëheqësit politikë në Ballkanin Perëndimor duhet të udhëheqin me shembuj duke e njohur atë që ka ndodhur, duke i nderuar viktimat dhe duke e promovuar pajtimin përmes kundërshtimit të rrënjëve të urrejtjes, që çuan në gjenocid”, shkroi Pisonero në postimin e saj në Twitter.
@JosepBorrellF @OliverVarhelyi on #Srebrenica26
Peace can only be built upon justice.
Political leaders in the WB have to lead by example acknowledging what happened, honouring the victims and promoting reconciliation by confronting the roots of hatred that led to the genocide.— AnaPisonero (@APisoneroECSpox) July 10, 2021
Ajo shkroi në emër të shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe komisionerit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, të cilët i etiketoi në postim.
Ditëve të fundit ka pasur reagime të ndryshme nga politikanët e Ballkanit Perëndimor në lidhje me Gjenocidin e Srebrenicës.
Muajin e kaluar, Kuvendi i Malit të Zi e shkarkoi nga detyra ministrin e Drejtësisë në këtë shtet, Vladimir Leposaviq, për shkak të komenteve të tij, me të cilat u mundua të hidhte dyshime për gjenocidin në Srebrenicë.
Kuvendi i Malit të Zi gjithashtu miratoi një rezolutë me të cilën ndalohet mohimi publik i kësaj ngjarjeve.
Reagimi i BE-së vjen vetmë një ditë para shënimit të 26-vjetorit të fillimit të Masakrës së Srebrenicës, e cila nisi më 11 korrik 1995 dhe përfundoi më 22 korrik të atij viti.
Mbi 8.000 burra e djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë dhe përreth saj. Forcat serbe ishin të komanduara nga famëkeqi Ratko Mladiq. Më 2017, ai u dënua me burgim të përjetshëm. Dënimi iu rikonfirmua muajin e kaluar, pasi i dënuari kishte paraqitur ankesë.