Kryetari i komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi këtë të shtune ka vizituar fabrikën e ujit në fshatin Shajkoc të kësaj komune për t’u informuar për shkaqet që po çojnë deri të reduktimet e ujit.
Bulliqi thotë se me drejtorin e KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, diskutuan për kapacitetet që i kanë në dispozicion dhe u dakorduan që nga java e ardhshme t’i bashkërendojnë aktivitetet e përgjegjshme në terren për inspektimin e, siç thotë Bulliqi, keqpërdorueseve të ujit.
“Po bëjmë përpjekje maksimale të gjejmë alternativa që të bëjmë zgjidhje permanente, por kapacitetet janë shumë të limituara”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Por, në mbrojtje të qytetarëve llapjanë u ka dalë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga kjo komunë, Driton Hyseni, duke kundërshtuar kështu qëndrimin e Bulliqit ku tha se reduktimet e ujit në Llap janë aq të mëdha sa që edhe po të ketë ndonjë keqshfrytëzues të ujit nuk është se paraqesin faktorët kryesorë që imponojnë redukimet.
“Mosmenaxhuesve të mirë të ujësjellësit skemi pse u japim alibi e të fajësojmë qytetarët e devotshëm llapjanë që secilën verë vuajnë për një të drejtë njerëzore të garantuar”, tha Hyseni.