Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka premtuar se veteranët e luftës do ta kenë mundësinë që të punësohen dhe në të njëjtën kohë ta gëzojnë pensionin.
“Garantova çlirimtarët do të gëzojnë pensionin pa shkëputje nga puna”, tha Haradinaj pas një tubimi në Korishë.
“Bujarë e punëtorë, që menjëherë pas luftës për liri, ku bënë sakrifica të mëdha për vendin, iu përveshën punës. Ju dhashë fjalën që do ta kenë mbështetjen e shtetit, subvencione për bujqësi, ujë të mjaftueshëm për pije dhe ujitje. Në Kosovën ku fitojnë të gjithë, fshatrat si Korisha do e kenë mundësinë e përparimit të hovshëm”, shkroi tutje Haradinaj.
“Garantova që çmimi i energjisë nuk do të ngritët dhe do të ulet të paktën për 20%”.
“Çelësi i zhvillimit tonë është anëtarësimi direkt në NATO dhe aleanca e përhershme me Amerikën. Kosova është mirënjohëse për ata që ishin me ne që nga fillet e angazhimit për liri, e vazhdojnë të na qëndrojnë edhe sot, si mbështetës të shtetit dhe garantues të sigurisë sonë. Për Kosovën Fituese 137”, u shpreh tutje Haradinaj. /Gazeta Enigma