DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë, shkak mungesa e komisionerëve

DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë, shkak mungesa e komisionerëve

Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon procesin zgjedhor me 500 vëzhgues statikë në vendvotime të përzgjedhura rastësisht.

Drejtori ekzekutiv i DnV-së, Ismet Kryeziu, tha se vëzhguesit do të raportojnë për mbarëvajtjen e procesit, duke filluar nga hapja e vendvotimeve deri tek numërimi i votave.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1.970.944 qytetarë, përfshirë 125.852 votues të rinj.

“Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, e ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë që të votojnë fizikisht për herë të parë nëpër misione diplomatike, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkak i vonesave të hapjes së vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja”, tha ai.

Kryeziu tha se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që do të mund të cenonte fshehtësinë e votës.

”Ambienti dhe siguria rreth Qendrave te Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast ku kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt”, deklaroi Kryeziu.

Ismet Kryeziu, Drejtori Ekzekutiv i Demokracisë në Veprim, theksoi rëndësinë e informimit të votuesve për të siguruar votim të saktë. Ai shtoi se, pas ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në vitin 2023, ka pasur disa ndryshime në procedurën e votimit, përfshirë futjen e votës preferenciale.

“Në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit. Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%”, përfundoi ai.

Related Articles