Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,është deklaruar në lidhje me rezultatin në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas rezultateve preliminare, kjo parti ka dalë e dyta në këto zgjedhje, raporton Gazeta “Enigma”.
Krasniqi ka theksuar se 200 mijë vota janë fitore e besimit dhe përkushtimit, teksa ka falenderuar kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamzën, për siç ka thënë, përkushtimin dhe fushatën e tij unifikuese, profesionale dhe të vendosur për të mirën e vendit.
“Mbi 200 mijë vota janë më shumë se një rezultat; janë zotim, shpresë dhe përgjegjësi e madhe për të nesërmen. Është fitore e besimit dhe përkushtimit ndaj një Kosove ma të mirë. Për çdo hap dhe sakrificë në këtë rrugëtim, ju jam mirënjohës pafundësisht. Rrugëtimi ynë për #MaMirë vazhdon. Për Kosovën. Për të ardhmen. Për qytetarët”, ka thënë Krasniqi.
“Nga zemra, ju falënderoj për besimin dhe angazhimin tuaj. Ky rrugëtim ishte më shumë se një garë politike; ishte një përpjekje e përbashkët për një Kosovë ma të mirë. Sot, ndiej krenari dhe mirënjohje për secilin prej jush që besoi dhe punoi për këtë vizion”, tha ai.
Tutje Krasniqi ka falënderuar të gjithë ata që i besuan atyre dhe për mbështetjen e madhe që i dhanë PDK-së në këto zgjedhje.
“Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj, për kulturën demokratike që treguat dhe për mbështetjen e madhe. Një falënderim i veçantë për aktivistët, strukturat e PDK-së, çdo kandidat dhe secilin mbështetës që nuk u ndal për asnjë moment. Pa ju, ky rezultat nuk do të ishte i mundur. Veçanërisht, faleminderit Bedri Hamzës, kandidatit tonë për kryeministër, për përkushtimin dhe fushatën e tij unifikuese, profesionale dhe të vendosur për të mirën e vendit. Vlerat e tij do të jenë udhërrëfyesi ynë në rrugëtimin politik përpara”.
“Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për vendin tonë. Me zemër dhe me besim të palëkundur në potencialin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë të mrekullueshëm, do të ecim përpara”, tha Krasniqi. /Gazeta Enigma/