Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka takuar në Munih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, Zëvendëspresidentin e ShBA-së, JD Vance.
Rutte i tha Vancet se çështja e ndarjes së barrës për sigurinë në botë është vendimtare.
Ai falënderoi zëvendësin e Trumpit “për gjithçka që keni bërë gjatë viteve në angazhimin me Evropën”.
Po ashtu, Rutte tha se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi në kuadër të NATO-s.
“Ne duhet të rritemi në këtë kuptim dhe të shpenzojmë shumë më tepër”, deklaroi Rutte pas takimit me Vance.
Ndër të tjera, shefi i NATO-s tha se në takim është diskutuar edhe për bazën industriale të mbrojtjes, duke thënë se “ne thjesht nuk po prodhojmë mjaftueshëm”.
“Nuk po mbajmë hapin me rusët dhe kinezët”, u shpreh ai.
Në takim është diskutuar edhe për “paqen e qëndrueshme” në Ukrainë.
“S’duhet të ketë një Minsk tjetër. Pra, (paqja) duhet të jetë e qëndrueshme. Putini nuk duhet ta provojë më kurrë. Dhe si t’i çojmë ata në një vend me fuqi maksimale kur të fillojnë bisedimet”, u shpreh Rutte.