Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) po merr pjesë në takimin e Komitetit të Përhershëm për Barazi të ETUCE, që po mbahet më 18-19 shkurt 2025 në Bruksel, ku po marrin pjesë 47 përfaqësues të vendeve të ndryshme nga Evropa.
Në kumtesën për media nga kjo sindikatë theksohet se SBASHK përfaqësohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Ymer Ymeri, i cili po kontribuon përkrah përfaqësuesve të shteteve evropiane në diskutime të rëndësishme mbi barazinë, përfshirjen dhe të drejtat e mësimdhënësve dhe nxënësve.
“Ky është një moment i rëndësishëm që dëshmon se Kosova ka zërin e saj të barabartë në tryezat evropiane të arsimit, duke ndikuar në politikat që sigurojnë një sistem arsimor më të drejtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë. SBASHK vazhdon të jetë zë i fuqishëm për mësimdhënësit e Kosovës në nivel ndërkombëtar!”, thuhet në njoftim.