Shkup, raportohet se mësuesja e bëri për spital vajzën 10-vjeçare

Shkup, raportohet se mësuesja e bëri për spital vajzën 10-vjeçare

Bujamin Samakova, babai i një vajze 10-vjeçare, ka denoncuar publikisht dhunën fizike që, sipas tij, është ushtruar ndaj fëmijës së tij nga mësuesja e Edukatës Fizike në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Çair, Shkup.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka publikuar një fotografi ku vajza e tij shihet me krahun e lidhur, duke pretenduar se lëndimi ka ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar nga mësuesja.

Sipas babait, mësuesja E.J. ka goditur fëmijën me një shkop prej druri, pasi disa nxënës kishin derdhur ujë në gardërobë, raporton “KlanMacedonia”.

Ai pretendon se kjo nuk është hera e parë që fëmijët ankohen për dhunë fizike dhe psikologjike nga e njëjta mësuese, por deri më tani nuk kanë bërë denoncim.

“Sonte ishte kulmi i dhunës fizike dhe psikologjike që ka ushtruar ndaj fëmijëve dhe vajzës sime, e cila është plotësisht e pafajshme. Vajza erdhi në shtëpi e shokuar dhe duke qarë. Për shkak të lëndimeve dhe dhimbjeve në dorë, u detyrova ta dërgoj në spital dhe ta paraqes rastin në polici. Tani i mbetet organeve kompetente të merren me këtë çështje”, ka shkruar Samakova në postimin e tij.

Rasti tashmë është raportuar në polici dhe pritet që autoritetet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes.

Related Articles