Berisha u bën thirrje fëmijëve të bojkotojnë mësimin pas vendimit për mbylljen e TikTok

Berisha u bën thirrje fëmijëve të bojkotojnë mësimin pas vendimit për mbylljen e TikTok

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka kërkuar fëmijëve dhe të rinjve që të bojkotojnë mësimin pas vendimit të qeverisë për të mbyllur platformën TikTok për një periudhë 12-mujore. Ditën e djeshme Berisha paralajmëroi protestë kombëtare më 15 mars para kryeministrisë.

Kreu i opozitës i ka kërkuar prindërve që ditën e hënë të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë, për të kundërshtuar vendimin e mbylljes së TikTok.

“Së pari njëherë, protesta e nxënësve, studentëve dhe të rinjve para kryeministrisë me datën 15 do jetë protesta më e bukur, më madhështore që ka parë Shqipëria gjer sot. Protesta kundër censurës, protesta me të cilën çdo fëmijë i çdo moshe, që ka smartfonin, përballet, del, bëhet luftëtar kundër diktaturës në mbrojtje të TikTokut dhe kundër censurës. Unë u them këtyre të rinjve se aty ku fillon censura, fillon diktatura. Ndaj, dhe pavarësisht nga mosha e njomë, ju me aktin tuaj, pjesëmarrjen në protestë, bëheni luftëtarë kundër narkodiktaturës së Edi Ramës, i cili ka një trashëgimi të tmerrshme. Kam një thirrje tjetër, të fillojë bojkoti i mësimeve. Po, ia vlen. Që ditën e hënë për shembull orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë. U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë fëmijët të paktën orën e parë si një akt i betejës së fëmijëve tuaj për lirinë e shprehjes dhe kundër censurës. Atëherë ua lë në dorën tuaj ta çojnë të martën, por doja ta fillonit të hënën me një bojkot të orës së parë. Dhe u garantoj që nuk do guxojë shkollë apo mësues të marrë masa ndaj jush se do përballet me pasojat më të rrepta ligjore. E drejta e grevës është e drejtë kushtetuese.”, ka thënë ai.

Më tej, duke u ndalur te dosja McGonigal, Berisha tha se ai nuk ka plan të udhëtojë në SHBA para 11 majit, por tha se pas zgjedhjeve, kreu i qeverisë Edi Rama do të ekstradohet në Amerikë ku do të gjykohet.

“Unë nuk kam një projekt që të udhëtoj para 11 majit drejt SHBA. Por, siç e keni parë ju, ato ndryshime epokale në SHBA flasin vetë, nuk ka nevojë t’i komentojë Sali Berisha. Gjarprit iu pre koka. Edi Rama heq dhe vë fotografitë, bën ‘ëoke culture’ me fotot e Aleksis Soros dhe Xhorxh Soros. Dosja McGonigal ka filluar të ecë, është në këmbë. Dy gjëra mund t’u them, në rast se unë nuk kam në plan një vizitë në SHBA, unë u garantoj se Edi Rama do ekstradohet pas 11 majit në SHBA. Atë e pret ekstradimi. Ose pastaj do vijnë të gjykohen këtu, një gjyq i përbashkët. Por më shumë të shkojë atje ku ka kryer krimin!”, i shpreh ai.

Related Articles