U ankua se iu shkelën të drejtat, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Haxhi Shalës lidhur me paraburgimin

U ankua se iu shkelën të drejtat, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Haxhi Shalës lidhur me paraburgimin

Me arsyetimin se janë shkelur të drejtat e tij themelore me mbajtjen e tij në paraburgim, Haxhi Shala kishte bërë ankesë në Apel dhe Supreme, por që të dyja vendosën kundër tij. Vendim të ngjashëm ka marrë së fundi edhe Gjykata Kushtetuese.

Shala kishte argumentuar se gjyqtari i procedurës paraprake nuk kishte shqyrtuar ligjshmërinë dhe themelësinë e paraburgimit gjatë paraqitjes së tij të parë më 13 dhjetor 2023, shkruan “Betimi për Drejtësi“.

Ai gjithashtu kishte argumentuar se kjo ishte shkelje e të drejtave të tij për liri e siguri sipas Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

Paneli e konstatoi kërkesën referuese të pranueshme, por megjithatë arriti në përfundim se paraqitja e parë e Shalës ishte kryer në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

Paneli ka theksuar se Shala ishte informuar mjaftueshëm për arsyetimin e gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me paraburgimin dhe iu dha mundësia të shprehte mendimin e tij.

Duke specifikuar që gjyqtari i procedurës paraprake mund të ishte shprehur më qartë, megjithatë thuhet se vendimi i tij nuk sugjeron se ai anashkaloi aspekte të ligjshmërisë dhe themelësisë së paraburgimit të Shalës.

Related Articles