Që nga dita e diele mbi 1500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësorë si pasojë e helmimit që dyshohet nga uji në këtë Komunë.
Pavarësisht kësaj, ende nuk ka dalë një rezultat definitiv nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, për të ditur se si ka ndodhur helmimi.
Lidhur me rastin për Front Online, ka folur infektologu, Hamdi Ramadani, transmeton Gazeta “Enigma”.
Ai, ka thënë se duke i parë simptomat që po u shfaqen qytetarëve deçanas shkaktar i helmimit nuk mund të jetë vetëm uji.
“Sipas të dhënave që i kanë dhënë autoritetet lokale se kryesisht kanë dominu edhe temperatura, dhe dhimbje të barkut, ose diare, atëherë mundësia është shumë e vogël me dhënë temperaturë helmimet me ujë, por prapë po them se mund të jenë mikrorganzimat e ndryshme të cilët mundet me dhënë edhe një pasqyrë të ngjajshme, prandaj po them se këta të sëmurë duhet të hulumtohen në kuptimin e analizave mikrobiologjike, duhet të bëhen nëse kanë pas temperaturë sepse është paraqit se kanë pasur simptoma të temperaturës dhe diaresë”, tha Ramadani për Front Online.
Vonesën e rezultateve, Ramadani e quan shqetësuese duke e parë edhe numrin e madh të të helmuarve.
“Mbetet një situatë, ende jo mirë e hulumtume, edhe pse rasti ka ndodhur nga dita e shtunë, e diele, e hënë dhe sot është dita e martë ku u dasht veçse me ardh një diagnozë që ne quajmë klinike, apo laboratorike, dhe kjo ka zgjat pak dhe me të vërtetë është e çuditshme. Është një situatë që duhet të hulumtohet më shpejt, për shkak se duhet të dihet se çka ndodhi aty, pak si ngadalë ka shku analiza dhe shpresoj se sot gjatë ditës do të dalin analizat me u vërtetu se çka ka qenë me të vërtetë”, tha Ramadani.