Gjatë sulmit izraelit në Gaza është vrarë zyrtari i lartë i Hamasit

Gjatë sulmit izraelit në Gaza është vrarë zyrtari i lartë i Hamasit

Mahmoud Abu Wafah, zëvendësministër i Punëve të Brendshme në Gaza dhe zyrtari më i lartë i sigurisë i Hamasit në enklavën palestineze, raportohet se është vrarë gjatë sulmeve izraelite natën e kaluar, raporton televizioni BBC.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila udhëhiqet nga Hamasi, të paktën 330 njerëz u vranë gjatë sulmeve izraelite mbrëmjen e kaluar.

Thuhet se shpërthimet fillimisht u dëgjuan në pjesën veriperëndimore të Gazës. Dëshmitarët thonë se së pari pati zjarr artilerie, ndërsa më pas më shumë se 20 aeroplanë luftarakë izraelite fluturuan mbi enklavë. Ata së shpejti filluan të godisnin caqe në Qytetin Gaza, Rafah e Khan Younis.

Kjo është vala më e madhe e sulmeve ajrore që nga 19 janari, kur hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit e Hamasit, raporton korrespondenti i BBC-së për Gazën, Rushdi Abualouf.

Para dy ditëve, bisedimet në Doha të Katarit, të cilat zgjatën 72 orë dhe përfshinë zyrtarë të nivelit të lartë nga Egjipti, Katari e ShBA-ja, dështuan që ta sillnin zgjatjen e fazës së parë të armëpushimit ose hyrjen në fazën e dytë. Të gjithë më pas prisnin një eskalim të situatës, thotë korrespondenti i BBC-së.

Ai thotë se natën e kaluar bisedoi me një zyrtar të lartë të Hamasit, i cili i tregoi se kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Gaza. Hamasi ishte në pritje të një sulmi ajror izraelit, por për njerëzit në Gaza, kjo ishte befasi.

Related Articles