Shteti i Serbisë ia ka ndaluar sërish ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, vizitën në këtë komunë.
Këtë e bëri të ditur kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Ajo tha se kjo është hera e dytë që pushteti i Vuçiqit e ndalon ministrin Çeku ta vizitojë Preshevën, teksa shtoi se ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe.
“Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”.
“Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi”, shkroi Sinani.
Më tej, ajo u shpreh se Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë.
“Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë”, u shpreh tutje e para e Preshevës.