Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher “nuk është më në gjendje të komunikojë verbalisht”.
Kjo deklaratë vjen nga Felix Gorner, një reporter për RTL dhe një nga gazetarët më të afërt me familjen e pilotit gjerman dhe konsiderohet një burim i besueshëm informacioni për shëndetin e legjendës së F1.
“Situata është shumë e trishtueshme,” shpjegoi Gorner, transmeton Gazeta Enigma.
“Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm, në varësi tërësisht nga njerëzit që kujdesen për të. Dhe ai nuk mund të shprehet më verbalisht,” shtoi ai në lidhje me gjendjen klinike, një temë konfidenciale, pasi familja Schumacher ka mbajtur gjithmonë një heshtje të fortë për shëndetin e gjermanit, i cili pësoi lëndime të rënda në tru pas një rënieje gjatë skijimit në fund të 2013.
“Për momentin, janë maksimumi 20 njerëz që mund t’i afrohen Michael. Dhe për mendimin tim, kjo është qasja e duhur. Sepse familja po vepron në interesin më të mirë të Michael. Ai gjithmonë e ka mbrojtur rreptësisht jetën e tij private dhe kjo nuk ka ndryshuar,” tha ai. /Gazeta Enigma