Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme, që të mërkurën i cilësoi si të pathemelta ankesat e kësaj partie.
VV-ja ka shkruar në Facebook se vendimi i Supremes është politik dhe absurd, duke shtuar se “vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimi të tillë”.
Supremja i hodhi poshtë ankesat e VV-së për votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që erdhën me postë.
VV-ja tha se vendimi sa më i hershëm mbi këtë çështje “do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese së bashku edhe me kërkesën për masë të përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikuar politikisht të Supremes. Konsiderojmë se është detyrë e të gjithëve dhe veçanërisht e inistutcioneve të thirrura që të ruajnë vullnetin e shprehur të qytetarëve në procesin zgjedhor, vullnet nga i cili buron legjitimiteti i secilit institucion të Republikës. Kësisoj, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimi të tillë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.