Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se pas 25 vjetësh nga përfundimi i luftës, fokusi i lidershipit aktual në Kosovë duhet të zhvendoset nga ruajtja e pushtetit në ndërtimin e shtetit.
Gashi bëri një bilanc të qeverisjes katërvjeçare të Kryeministrit Albin Kurti.
Ai pranoi se, edhe në mungesë të ndonjë arritjeje konkrete, një nga veprimet më të rëndësishme të kësaj qeverie ka qenë kthimi i sovranitetit në veri të vendit.
“Nuk është qëllimi veç për pushtet. Unë besoj që 25 vjet kanë kaluar prej luftës dhe dikush duhet të punojë për shtetin tonë. E nëse Albini, kushtimisht, bash asgjë nuk ka kryer për këto katër vjet, ama bash po e them dy herë, nuk paska kryer asgjë. Po a na ktheu sovranitetin në veri. I cili, në prizmin tim, mu ka dukur më shumë që është Serbi sesa që ka qenë Kosovë,” tha Gashi.
Ai shtoi se situata në veri ka ndryshuar ndjeshëm, duke përmendur faktin se tani në Mitrovicën e Veriut qytetarët dhe përfaqësuesit politikë mund të lëvizin lirshëm, pa nevojën e automjeteve të blinduara si dikur.
“Nuk ka asnjë gjykim të rëndësishëm që e kemi përcjell me kerre të blinduara të Policisë tonë në veri, ku e kemi Gjykatën Themelore në Mitrovicë. E tash shkon në këmbë, pinë kafe… Sepse edhe kryetarët e anëtarët e partive opozitare kanë familje, kanë kushëri, munden me shku lirisht në veri. Sepse veriu është njëjtë si shteti Nënë Tereza në Prishtinë…”, shtoi ai në RTVDukagjini.
Në pjesën tjetër të intervistës, Gashi komentoi edhe ftesën e kryeministrit Kurti për takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila u refuzua nga kryetari i saj, Lumir Abdixhiku.
Sipas Gashit, Kurti do të duhej të shtrinte ftesa për takim ndaj të gjitha partive opozitare – me përjashtim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për shkak të retorikës fyese ndaj kësaj partie dhe liderit të saj.
“Sa i përket dërgesës së ftesës për LDK-në, unë besoj zoti Kurti do të duhej, së paku në prizmin tim, t’iu dërgonte edhe partive të tjera. Por jo dikujt që e ka fyer direkt, permanent, për muaj të tërë para e pas fushatës, me epitete të cilat i kemi thënë 100 mijë herë… Është e pamundur që t’i dërgohet faktikisht një ftesë e tillë kryetarit të AAK-së për shkak të fyerjeve që i ka bërë dhe po i bën çdo ditë, duke e quajtur ‘argat të Serbisë’, ‘spiun i Serbisë e Rusisë’, e gjëra të tilla…”, përfundoi Gashi.