Doarsa Kica-Xhelili, deputetja e zgjedhur e LDK-së, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për reagimet ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen me 15% të çmimit të energjisë elektrike.
Në një postim në Facebook, ajo ka rikujtuar një deklaratë të Lëvizjes Vetëvendosje për rritje të çmimit të energjisë elektrike, sa ishin në opozitë.
“‘Qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike.’ Kështu fliste dikur VV. Një VV moralizuese që sot do të ishte oponenti i dhunshëm i vetvetes”, ka thënë Kica-Xhelili.
Kixa-Xheliki ka shtuar se teksa nesër ZRrE-ja mund të bëjë rritjen e radhës të çmimit të energjisë elektrike, sipas saj, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ankohet se arsyeja e shpenzimit të rrymës është prodhimi i drogës, “e përfaqësuesi i emëruar nga Qeveria në ZRrE ua ofendon inteligjencën çdo ditë qytetarëve. E qytetarët? Mezi mbijetojnë!”.
Anëtarja e LDK-së shprehet se halli i Qeverisë në detyrë të drejtuar nga VV-ja nuk është rritja e rrymës, por sipas saj, reflektimet e pjesëtarëve të VV-së ndryshojnë varësisht si e kur “zgjohen në mëngjes”, para a pas zgjedhjeve.
“Ju kujtohet në zgjedhje kryeministri? ‘Unë e kam ditë që jam i fortë, po s’e kom ditë që jam kaq i fortë’. I fortë paska qenë Martini, kryeministër. I dobëti qenke ti!”, ka thënë Kica-Xhelili.