Janë zbardhur detaje të reja nga aksioni i ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga oficerët e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ku me urdhër të SPAK-ut u ushtrua kontroll në disa banesa dhe biznese.
ABC News mëson se kontrolle janë ushtruar në zyrat e biznesit të Nazif Bajramit, pronar i kompanisë “Bajrami N” dhe biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit në Elbasan, i cili ka fituar një sërë tenderësh nga institucionet publike.
Po ashtu, kontrolle janë ushtruar edhe tek Marenglen Çoku, administrator i ekipit të Futbollit të A. F. Elbasani, i cili është dhe pronar i kompanisë “ÇOKU M & E”.
Të njëjtat burime konfirmojnë se oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan (UKE), Luan Tabaku.
Mësohet se nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, ata kanë rezultuar të lidhur me grupin kriminal të drejtuar nga Suel Çela, ku ky i fundit vijon të jetë ende në kërkim nga SPAK-u.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme po heton tenderë publikë të cilët dyshohet se janë përfituar nga krimi i organizuar përmes personave të tretë. /abcnews.al